Pas 13 vitesh në gjak, merr fund hasmëria mes dy familjeve në rrethin e Lezhës. Një familje i fal gjakun hasmit, pas vrasjes së vëllait të tij 13 vite më parë, duke përçuar kështu edhe një mesazh për shoqërinë shqiptare, duke i thënë "Stop gjakmarrjes".
Shtrënguan dorën e pajtimit duke i dhënë fund gjakëmarrjes pas 13 vitesh. Në derën e kishës Shën Koll në Iballë të Lezhës, familja e Pjetër Ndoit i ka falur gjakun e vëllait të vrarë familjes së Ndue Palokës. Nëpërmjet dhimbjes, familja Ndoi përçon një mesazh të fortë në shoqërinë shqiptarë, atë të faljes së gjakut.
"Falë u kjoftë gjaku", ishte fjala e Pjetër Ndojit, vëllait të viktimës së 13 viteve më parë, ndërsa i shtrëngont dorën hasmit të të tij të djeshëm.
Për familjen Paloka, të cilës iu fal gjaku, përulësia ndaj gjestit të familjes Ndoj është nderim, ndërsa shprehin falenderimin e thellë ndaj këtij veprimi që sipas tyre ndërmerret vetëm nga burrat e vërtetë.
Fiset Ndoj e Paloka ishin në hasmëri prej 13 vitesh pas vrasjes së Pjetër Ndojit, ndërsa autori i krimit është dënuar nga drejtësia me burgim të përjetshëm. Falja e gjakut dhe shuarja e hasmërisë mes familjeve Ndoj e Paloka u krye me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve.