Gazetarët kanë të drejtë dhe duhet të mbrojnë interesin publik pasi jo rastësisht janë quajtur pushteti i katërt. Kështu u shpreh mbrëmë drejtorja e Shkollës së Lartë të Gazetarisë, Zhaneta Trajkovska në emisionin 'Rruga Drejt' në ALSAT-M. Sipas saj, interesi publik është më i madh se sa zbulimi i ndonjë dëshmitari të fshehtë për çka edhe u dënua gazetari Tomisllav Kezharovski, aq më tepër kur i njëjti dëshmitar dy vite më vonë deklaron se ai nën presion të policisë është deklaruar si i tillë. Kryeredaktori i gazetës 'Nova Makedonija' Zoran Dimitrovski tha se autoritetet duhet të zbulojnë se kush e ka kërcënuar dëshmitarin e mbrojtur, kush ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe jo të debatohet për një gazetar dhe dy tekstet të tij.
"Kezharovski në dy tekstet e tij të publikuara para 5 viteve ka shkruar se disa struktura në MPB dhe Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim po tentojnë të rregullojnë një dëshmitar të rrejshëm për rastin 'Oreshe'. Në dy tekstet e tija Kezharovski ka cekur dyshimet dhe ka përmendur numrin e parë të telefonit i cili më pas nga mbrojtja, në procesin gjyqësor është vërtetuar se ai në fakt është numër celulari i policisë 076-7 dhe më pas pesë pika, dhe ishte shkruar emri Zllatko nga Shtipi, pa mbiemër dhe sa për informatë, dëshmitari i fshehtë është Zllatko Arsovski nga fshati Oreshe dhe jo nga Shtipi, mbiemri nuk është publikuar në ato dy tekste. Në bazë të këtyre dy fakteve Kezharovski akuzohet se ka zbuluar identitetin e dëshmitarit të fshehtë", deklaroi Zhaneta Trajkovska, drejtore e Shkollës së Lartë të Gazetarisë.
"Ajo që Kezharovski ka zbuluar, ka ndikuar në procesin 'Oreshe' që eventualisht dikush të lirohet nga akuza. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me këtë proces në fund, ndoshta Gjykata do të vërtetojë, ndoshta do të lirohen të akuzuarit. Me fjalë të tjera është patjetër të vërtetohet identiteti i dëshmitarit të mbrojtur, është i mbrojtur ose jo, d.m.th statusi i tij patjetër duhet të konfirmohet që të mund të gjykoni dikë, qoftë gazetarit Kezharovski ose të tjerëve në rastin 'likuidimi", tha Zoran Dimitrovski, kryeredaktor i 'Nova Makedonija'.
Trajkovska dhe Dimitrovski kumtesën e Gjykatës Themelore Shkupi 1 e cilësuan si qesharake dhe skandaloze.
"Kishte një kumtesë me shkrim të cilën unë e quajta edhe qesharake por edhe skandaloze pasi kishte disa gjëra të cilat nuk ngjajnë me kumtesë zyrtare nga një institucion siç është Gjykata Themelore Shkupi 1. Por më pas kishte edhe një kumtesë plotësuese e cila në mënyrë shtesë me bëri të qeshem ku ata të gjykatës u vetë demantuan", u shpreh Zhaneta Trajkovska, drejtore e Shkollës së Lartë të Gazetarisë.
"Ata pozicionojnë veten jo vetëm mbi gazetarët, por edhe mbi ligjin edhe pse ligji atyre u lejon që të gjykojnë gjatë procedurave gjyqësore dhe jo të komunikojnë me opinionin dhe të japin leksione se si duhet gazetarët të sillen dhe të raportojnë", tha Zoran Dimitrovski -- kryeredaktor i 'Nova Makedonija'.
Në emisionin 'Rruga Drejt', Trajkovska dhe Dimitrovski ...