VLORE- Ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Vlorës ku kanë gjetur vdekjen 3 shtetas, ka tronditur mbarë opinionin publik. Qytetarët vlonjatë kanë shprehur indinjatën e tyre lidhur me këtë vrasje makabre, duke dënuar ashpër një ngjarje të tillë.
Për mikrofonin e "A1 Report", qytetarët kane shprehur shqetësimin se "një ngjarje e tillë sjell frikë dhe pasiguri në qytet, pasi fenomene të kësaj natyre mund të përsëriten në mes të ditës me diell dhe autorët të largohen pa i bezdisur askush".
Ndër të tjera ata kanë theksuar se duhet të merren masa imediate dhe të vendosen përpara përgjegjësisë personat të cilët pasditen e djeshme kanëe tronditur qytetin bregdetar.
Ngjarje të tilla në mes të sezonit turistik prishin imazhin jo vetëm të qytetit, por edhe largojnë turistët e shumtë, të cilët kanë preferuar të zgjedhin Vlorën si destinacion të pushimeve të tyre ose të tjerë të cilët do të zgjedhin bregdetin jonian në ditët në vijim.
"Ngjarje të tilla mund të përsëriten nga momenti në moment" kanë theksuar pushuesit, ndërsa vijojnë se "dhe siguria për jetën është në nivele tejet të ulëta. Nga ana e policisë duhet të punohet më tepër për të garantuar rend dhe siguri publike sa më të lartë".
Kryetari i Operatorëve Turistikë për jugun, Vasil Bedini, në një prononcim për mediat ka theksuar se impakti i parë ka qenë negativ, por sipas tij "kjo ngjarje është e shkëputur dhe nuk duhet të ndikojë në ecurinë e turizmit, pasi Vlora" sipas tij "është një qytet me resuse të shumta dhe përtej bukurisë së plazheve, pastërtisë dhe qetësisë së tyre ka garantuar defrim 24 orë për pushuesit".
Ai u ka kërkuar pushuesve që kanë prenontuar në Vlorë, por edhe të tjerëve të vijnë të shijojnë plazhet e jugut.