Prej mesditës së sotme zona pyjore në Akërni në Vlorë është përfshirë nga flakët, ndërsa raportohet se janë djegur mbi 100 hektarë pyje.
Tre mjete zjarrfikëse dhe 30 punonjës prej disa orësh vazhdojnë luftën me flakët për të shuar zjarrin, por terreni është shumë i vështirë për të ndërhyrë.
Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur thirrjes së zjarrfikësve duke dërguar trupa dhe një helikopter për të shuar flakët.
Trupat e Forcave të Armatosura prej orën 19:00 kanë nisur aksionin së bashkë me zjarrfikësit nga tokë, ndërsa helikopteri nga ajri për të shuar flakët që kanë pushtuar zonën e hidrovorit në Vlorë.
Në disa momente ka qenë në rrezik edhe jeta e zjarrfikësve, pasi zjarri ka marrë përmasa shumë të mëdha, ndërsa është favorizuar edhe nga era që frynte duke e përhapur akoma më shumë.
Nga zjarri nuk raportohet për dëme në njerëz, policia u bën thirrje qytetarëve që banojnë pranë kësaj zone, të marrin masa për t'u larguar nga ato banesa të cilat rrezikohen nga flakët.
Ndërsa janë larguar edhe barinjtë e zonës që kanë ngritur stanet në zonën e fshatit Akërni, pasi rreziku është potencial nga zjarri që ka përfshirë kullotën dhe pyllin.
Zjarri në këtë zonë ndodhet në katër pika të ndryshme dhe mendohet se është vënë qëllimisht nga persona të pa përgjegjshëm.