Ka nisur të rikthehet gëzimi dhe buzëqeshja në familjen Memeti nga fshati Sllupçan komuna e Likovës. Ndihmat e ardhura nga shumë njerëz bëmirës kanë mundësuar të hidhet gurëthemeli për ndërtimin e shtëpisë së re për katër anëtarët në nevojë të kësaj familje. Shtëpia e re me sipërfaqe prej 80 metra katrorë pritet të përfundojë brenda 60 ditëve. Kreyetari i shoqatës "Mëshira" Haki Lushtaku i cili bart përgjegjësinë për këtë shtëpi tha se të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë në ndërtimin e saj mund të kontribuojnë me material ndërtimor ose çfardo ndihme tjetër për mobilimin e saj.
"Së pari e falënderoj televizionin Alsat i cili e ka identifikuar si rast, në momentin kur ne e pamë u prekëm aq shumë, sa që ne si shoqatë 36 shtëpia kemi përfundu por rast më të rëndë se këtu nuk kemi pas dhe në atë moment ne i kemi konfirmu familjes që e marrim përsipër si rast. Në ato pjesë ku ne kemi pas komunikimin me kompani të ndryshme kemi siguru një pjesë të materialit, por për një shtëpi duhet material më shumë, kështu që ne si shoqatë bëjmë apel te të gjithë qytetarët të cilët kanë mundësi me ndihmu me material ndërtimor, me mjete financiare që të drejtohen ose të familja ose të shoqata Mëshira, aktivistët tone janë në teren ku edhe munden me komunikua me ta dhe me ndihmu për këtë familje", deklaroi Haki Lushtaku, Sh.H "Mëshira".
Gëzimi për ndërtimin e shtëpisë së re vërehej edhe në fytyrën e zonjës së shtëpisë Gjyle Mememti.
"Po, shumë u gëzuam dhe ju falënderoj juve që keni arrdhë për herë të parë me vizitue familjen Memeti dhe me pa rastin se si ka qëndruar me 15 vite me këtë fëmijë që ka nejtë në katin e dytë. Nuk ka pas kush të interesohet për familjen Memeti. Shoqata Mëshira ka marrë përsipër me ndërtua një shtëpi për këtë fëmijë që është në karrocë, me ja lehtësu pak mërzinë dhe dhimbjen që e ka se nuk mundet me hyp nëpër shkallë. I falënderoj të gjithë shqiptarët anembanë, kush sa ka pas mundësi që ka ndihmu te familja Memeti, së pari i falënderoj kosovarët se e para dhuratë që m'ka ardhë për Azizin është karroca", u shpreh Gjyle Memeti, kryefamiljare.
Ai që u gëzua më shumë në këtë familje është Azizi i cili vuan nga paraliza cerebrale. Dëshira e tij për një karrocë elektrike u bë realitet me të cilën tani lëviz pa ndihmën e askujt.
"Sigurisht që u gëzova, tani e ndjej veten pak më mirë dhe i falënderoj të gjithë që më kanë ndihmu veçanërisht të Kosovës që ma kanë sjell dhuratën e parë, karrocën. Më lehtë se ajo tjetra se me këtë lëvizi vet a me at tjetrën është dashtë me më shty dikush", tha Aziz Memeti.
Jeta e vështirë për familjen Memeti u transmetua në Alsat-M javën që lamë pas. Rrëfimi për këtë familje ishte prekës. Katër anëtarët e saj kalonin jetë të rëndë dhe me mungesë të kushteve elementare për jetë. Ajo që e bën edhe më tragjike këtë rast është se kryefamiljari Rraman Memeti vuan nga skizofrenia ndërsa djali i tij 15 vjeçar nga paraliza cerebrale. Melihate Rustemi ...