Këto pamje mjerimi do të mbeten vetëm një fotografi dhe kujtim i trishtuar për familjen Islami nga lagjja Seravë e Shkupit. Katër anëtarët e kësaj familje së shpejti do të bëhen me shtëpi të re falë donatorit anonim i cili pas publikimit të lajmit në Alsat vendosi që kësaj familje tu ndërtoj një shtëpi të re. Derisa punëtorët ndërtonin muret e shtëpisë, kryefamiljarja Kimetja bashkë me dy vajzat e saja, Hatixhen 4 vjeçare dhe Elifen 2 vjeç qëndronin aty për të parë nga afër ndërtimin e shtëpisë së tyre. Ajo madje falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan.
"Po, shumë jam gëzua për shtëpinë e re që ma kanë ndreç, shumë tepër, jo pak po shumë, i falenderoj ata, Zoti i shpërbleft ishalla Zoti ju jep gjithçka të mir.A janë gëzu fëmijët, çka ka thënë kur kanë kuptu se ka fillu shtëpia mu ndërtu? Hatixhja tha mami në shtëpi të re kena me dal, kena me hy në shtëpi të re, i thashë po bre bijë tash edhe pak kena me hy në shtëpi të re..Tash më nuk ka bërllok, tash duhet me mbajt pastërt, as mos me i prish sendet, gruja çat punë e ka, do ta mbaj pastërt, ishalla ma shpejt e ndreqin edhe këta punëtorët", tha Kimete Islami, banore lagjes Seravë
Ndërkohë Hatixhja e vogël vazhdimisht na tregonte me dorë se cila është dhoma ku do të flejë bashkë me të motrën e saj. Ajo madje na zbuloi se në dhomën e re dëshiron të ketë një jorgan dhe jastëk të bukur.
"Qe këtu. Kallxoi tetës me kë ki me flejt? Me mamin. Çka ke me shtru atje te dhoma, a ke me vëndu kukulla? Jorgan? Tjetër sen çka don me pas aty? Aty me pas jastëk. Tjetër çka don. Tjetër kurgjë. A çfarë kukulle don me pas aty te dhoma? Du me pas me lujt", u shpreh Hatixhe Islami, fëmij
Ibrahim Demiri, përgjegjës për ndërtimin e shtëpisë tha se punimet pritet të përfundojnë brenda dy muajve.
"Kjo pjesa këtu është salloni bashkë me kuzhinë, në at qosh ate është banja, janë edhe dy dhoma të fjetjes, nji atje dhe nji këtu përpara. Këtu është hyrja e shtëpisë, qysh ka qenë vendi, qysh kanë qenë themelet e vjetra në bazë të atyre kemi shku ne, nuk kemi guxu me dal prej atyre. Përafërsisht për dy muaj personat që janë duhet të hyjnë brenda dhe ta gëzojnë këtë shtëpi. Normal ne e kemi, si të fillojmë prej fillmit, kur ta prishim dhe deri në çelësat dorë që tua japim, ata hynë brenda dhe krejt të gatshme i kanë..jemi tre mjshtër dhe pesë punëtor që sa më shpejt me ua kry që edhe këta më hy nën kulm", deklaroi Ibrahim Demiri, mjeshtër.
Katër anëtarët e familjes Islami jetonin në kushte teje të vështira varfërie dhe me mungesë të ndihmës sociale. Përveç ndihmave të ndryshme nga njerëzit human ata nuk posedonin asgjë personale. Reportazhi për familjen Islami në Alsat M u publikua dy javë më parë. Melihate Rustemi