Një zjarr i rënë në fshatin Llopat të Kumanovës, ka lënë pa kulm mbi kokë një familje 12 anëtarëshe. Zjarri që ka shpërthyer në stallë shumë shpejtë ka përfshirë gjithë shtëpinë e familjes së Nijazi Selimit, duke e shkrumbuar atë totalisht. Sipas banorëve, njësiti i zjarrfikësve ka arritur në vendngjarje vetëm pas 45 minutash, pasi zjarri kishte shndërruar gjithçka në hi. Sipas familjarëve të plagosur nuk ka, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit.
"Isha duke ndenjur në oborr, fillimisht u dëgjua një britmë, të gjithë fqinjët vrapuam dhe erdhëm deri këtu, por zjarri vetëm se kishte bërë të veten", tha Fersan Suljemani, banor i fshatit.
"Ka qenë prej rrymës, ne vrapuan ta shuajmë, por nuk mundëm..Kali është djeg, stalla është djeg plotësisht", u shpreh Nijazi Selimi, Kryefamiljar.
Që tragjedia të jetë më e madhe, kjo shtëpi ishte ndërtuar vetëm para pak vitesh me ndihmën e banorëve të fshatit, për të shpëtuar familjen Selimi nga mjerimi.
"Kësaj familjeje i ndodhi edhe një fatkeqësi para 4-5 vitesh, edhe atëherë iu dogj shtëpia, dhe patën mbetur pa strehë. Me ndihmën e fshatit arritëm që t'ua ndërtojmë këtë shtëpi, por edhe kjo u djeg tërësisht. Apeloj deri tek të gjithë bashkëvendësit e tonë që t'i dalin në ndihmë kësaj familjeje që t'uia bëjmë një ndihmë të madhe", u shpreh Fersan Sulejmani, banor i fshatit.
"Nëse ka dikush mundësi të ndihmojë, le të ndihmojnë, nëse nuk kanë shëndosh..", tha Nijazi Selimi, kryefamiljar.
Familja 12 anëtarshe Selimi nuk ka asnjë burim të ardhurash dhe jeton në varfëri të skajshme. Semra Jakupi