Implementimi i marrëveshjes së marsit, miratimi të ligjeve me procedurë të përshpejtuar, Zbatimi i marrëveshjes se Ohrit dhe raportet e mira ndër-fqinjësore ishin disa nga vërejtjet në të cilat u fokusua kreu i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Zhan Klod Minjon gjatë fjalimit të tij para deputetëve të Kuvendit republikan. Ai përkujtoi parlamentarët se procesi për qasje drejt BE-së është i gjatë dhe kërkon përpjekje dhe reforma në shumë fusha. Minjon gjithashtu theksoi nevojën për promovimin e pluralizmit të mediave, si dhe zhvillimin e një ambienti të volitshëm për punën e gazetarëve si faktorë shumë i rëndësishëm për funksionimin e mirë të shoqërisë demokratike.
"Institucionet demokratike akoma janë të brishta: bojkoti parlamentar , si dhe miratimi i ligjeve të rëndësishëm me procedurë të përshpejtuar, shkaktojnë shqetësim tek opinioni ndërkombëtarë. Marrëveshja e arritur mes forcave politike e cila ndodhi në muajin mars mundësoi që të normalizohet situata dhe unë gëzohem për këtë. Megjithatë është shumë e rëndësishme të vazhdohet me debatin konstruktiv në Kuvend dhe gjatë kësaj të respektohen të drejtat e opozitës. Megjithatë, duhet të vazhdohet edhe me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që të sigurohet pjesëmarrje e plotë në jetën publike të të gjitha bashkësive etnike të cilat jetojnë në vendin tuaj, posaçërisht të minoriteteve", tha Zhan Klod Minjon, kryetar i KP të KE-së.
Sa i përket kontestit me Greqinë rreth çështjes së emrit Minjon theksoi se marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore përbëjnë një nga shtyllat e projektit evropian. Sipas tij ndonjëherë fqinjët nuk arrijnë që të pajtohen për të gjitha çështjet, por nuk duhet lejuar që emocionet të mbisundojnë mençurinë, sepse atëherë zgjidhjet komplikohen edhe më shumë.
"Unë jam thellë i bindur se një dialog i sinqertë dhe respektimi i ndërsjellë janë të domosdoshëm që të ecet përpara. Në marrëdhëniet ndër-fqinjësore, është dëshmuar se gjithmonë është vështirë të vendoset për ose kundër kur ka kontest. Përgjegjësia është e ndarë dhe është absolutisht e domosdoshme që të kërkohet kompromis. Dëshiroj t'ju inkurajoj Ju dhe fqinjët e juaj që sa më shumë ta shfrytëzoni dialogun dhe qasjen konstruktive që të gjenden zgjidhje të përbashkëta. Historia evropiane na mëson se gjithçka është e mundur: vullneti i mirë dhe dialogu konstruktiv mundësojnë çdoherë të gjenden zgjidhjet", deklaroi Zhan Klod Minjon, kryetar i KP të KE-së
Me këtë rast Minjon, theksoi edhe marrëveshjen e arritur mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo që sipas tij ofron këto dy shtete sa më afër Bashkimit Evropian. Bedri Rexhallari