Arrestohet ish shefi i DSK-së Sllobodan Bogoevski

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Arrestohet ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) nga koha e LSDM-së në pushtet, Sllobodan Bogoevski. Bashkë me tre persona të tjerë, Bogoevski është arrestuar në aksionin policor "Agjenti", nën dyshimin e veprës penale 'larje parash', dhe fitimin në mënyrë të paligjshme të rreth 1 milion eurove.

"MPB sot realizoi aksionin operativ "Agjent" me të cilin dokumentohen shpërdorime rreth një trualli që gjendet në lokacion atraktiv, në afërsi të sallës 'Boris Trajkovski' në Shkup. Për shkak të dyshimeve se kanë kryer vepra penale, si 'larje parash' dhe vepra të tjera penale, falsifikim dokumentesh, përdorim dokumentesh me përmbajtje të pavërtetë, është ngritur padi penale ndaj 6 personave", deklaroi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Sipas Policisë bëhet fjalë për krim të organizuar, pjesëmarrës në të cilin janë 5 shtetas të Maqedonisë dhe 1 slloven. Konkretisht, krimi është bërë pas prishjes së marrëveshjes mes Ministrisë së atëhershme për Urbanizëm dhe kompanisë qipriote "Central Bank Investment", e cila në vitin 2000 kishte blerë truallin pranë sallës 'Boris Trajkovski'. Marrëveshja për blerjen e truallit ishte prishur në vitin 2009. Në po të njëjtën periudhë, kompania sllovene 'Merkator' themeloi një kompani në Shkup, e cila duhej të kryesonte procedurën për blerjen e truallit në fjalë. Drejtori ekzekutiv e firmës sllovene në Shkup ka kërkuar nga kompania amë 'Merkator' që të lëshonte rreth 1 milion euro, të cilat, do t'i duheshin për pagimin e dëmshpërblimit ndaj firmës qipriote 'Central Bank Investment'. Por, në marrëveshje me disa avokatë në Shkup, njëri nga të akuzuarit themeloi kompani me të njëjtin emër, por me seli në Shkup, dhe paratë në vend që të kalonin në xhirollogarinë e kompanisë së vërtetë nga Qipro, përfunduan në kompaninë fiktive shkupjane me të njëjtin emër. Më tej, përmes marrëveshjeve fiktive është bërë larje parash, ndërsa ish shefi i kundërzbulimit paraqitet si person fizik që kishte firmosur kontratën fiktive në vlerë prej 28 milion denarësh. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form