Kaluan kontrabandë një kamion me 16.8 tonë kafe, arrestohet shefi i policisë kufitare të Shishtavecit në Kukës, si dhe tre policë të Postës kufitare.
Agim Berisha, 48 vjeç, me detyrë shef i stacionit të Policisë Shishtavec, si dhe tre policët, Agron Nela, 41 vjeç, Mursel Memishaj, 48 vjeç, si dhe Mirel Dalaci, 40 vjeç, të tre këta me detyrë policë trupe u arrestuan nga oficerët e SHÇBA-së.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme, të katër këta efektivë, u ndaluan mëngjesin e kësaj të hëne me akuzën e shpërdorimit të detyrës, e kryer në bashkëpunim.
Të katër këta persona akuzohen se me 11 qershor 2016 kanë lejuar kalimin në Pikën e kalimit kufitar në Shishtavec një automjet kamion Scania me targa AA763DC, që transportonte 16 800 kg kafe kontrabandë.
Malli mësohet se ishte ndarë në 280 thasë me peshë 60 kg secili, dhe synonte të hynte në tregun e përpunimit të kafesë në vend. Hetimet e Shërbimit të Çështjeve kanë zbardhur përfshirjen e katër efektivëve të policisë në këtë linjë të kontrabandimit të kafesë, ndërsa ata po hetohen edhe për raste të tjera.