SHKODER - Reshjet e fundit kanë përkeqësuar gjendjen në zonat e përmbytura të Nënshkodrës. E gjithë toka fushore e komunës Ana e Malit prej 1800 hektar është e përmbytur nga ujërat e lumit Buna.
Gjithashtu janë të izoluara nga uji 250 shtëpi. Në fshatin e Obotit nuk mund të qarkullohet as edhe me automjete të larta pasi niveli i ujit mbi rrugë arrijnë në lartësinë deri në 2 metra.
Kryetari i Komunës Ana e Malit, Xhevat Mollca, thotë se gjendja është përkeqësuar më shumë se në përmbytjet e vitit 2010-2011.
Sipas drejtuesve të komunës Ana e Malit dhe banorëve të kësaj zone, nëse vazhdon shtimi i ujit me këtë intensitet, brenda disa orësh rrezikon të bllokohet edhe rruga kryesore Shkodër-Pika Kufitare e Muriqanit.
(ad.ti/shqiptarja.com)