Në Tiranë, është shndërruar në traditë tashmë falja e Bajramit çdo vit, në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'. Falja u mbajt në orën 6:34. Por, në të njëjtën kohë, xhamitë e vendit, nga Shkodra e deri në Gjirokastër, besimtarët myslimanë u mblodhën nëpër xhami dhe falën namazin e festës. Fiter Bajrami është festa e devotshmërisë, solidaritetit, vëllazërisë dhe barazisë sociale. Dhe me këtë rast, krerët e Komunitetit Mysliman, ata politikë si dhe të institucioneve dhe trupave diplomatikë, përgëzuan shqiptarët për frymën e afinitetit dhe paqes ndërfetare dhe ndër-njerëzore. Në urimin me rastin e festës, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça shprehte mirënjohjen për besimtarët që agjëruan muajin e Ramazanit, dhe uronte që kjo festë e madhërishme të shërbejë për më shumë mirësi, afrimitet dhe paqe mes njerëzve.
Edhe presidenti i Republikës Bujar Nishani, në mesazhin e tij të pare në krye të kësaj detyre, uroi besimtarët shqiptarë për më shumë begati dhe tolerance.
"Ky është një rast për të festuar, kur myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit. Me rastin e kësaj feste të madhërishme, uroj për më shumë paqe, tolerancë, begati, harmoni dhe shëndet! Besimi është një nga cilësitë më të çmuara që ka njeriu dhe që e ka çuar njerëzimin përpara. Le ta ruajmë këtë besim në breza dhe ta përmirësojmë në raport me njëri-tjetrin!", deklaroi Bujar Nishani, president i Shqipërisë.
"Vendimi i tyre për t'iu përkushtuar dhe nderuar Zotit në këtë verë kaq të nxehtë, për të sakrifikuar dhe privuar veten nga pika e ujit është frymëzues për të gjithë, pasi nuk ka përkushtim më epror dhe më të parë se sa përkushtimi i njeriut ndaj zotit. Ndaj, le të urojmë sot të gjithë besimtarët e zotit, 'Gëzuar' këtë ditë, ditën e nderimit të sakrificës, që është nderimi për arritjen dhe ndryshimin, është nderimi për të mirën dhe mirësinë", deklaroi Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë.
Dita ka vazhduar me pritje të shumta në Komunitetin Mysliman, ndërsa besimtarët kanë shkëmbyer vizita mes familjarësh, miqsh dhe shokësh, me urimin për një vit të mbarë. Admir Qose