Komisioni Evropian do të angazhohet maksimalisht që të përshpejtojë fillimin e bisedimeve aderuese mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian. Kështu premtoi drejtori për zgjerim i Komisionit Evropian Stefani Sanino, pas takimit me zv/kryeministren për çështje evropiane Teuta Arifi, duke shënuar mbylljen e procesit për vlerësimin e përmbushjes së obligimeve në kuadër të dialogut të niveli të lartë.
"Dialogu i nivelit të lartë para-qasës është ura për negociatat, por nuk është urë që kapërcen negociatat. Qëllimi ynë është që të bëhen të gjitha gjërat e nevojshme që të bëjmë të mundur që negociatat mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian të fillojnë sa më shpejtë", deklaroi Stefano Sanino, drejtor për zgjerim i KE-së.
Sanino theksoi se tani janë vërejtur edhe lëvizjet e para nga reformat në administratën publike, gjyqësor, në fushat e shprehjes dhe lirisë së medieve, edhe pse shtoi se Komisioni Evropian pret rezultate konkrete edhe në periudhën e ardhshme, përpara përmbylljes së raportit të progresit. Zv/kryeministrja Teuta Arifi nga ana tjetër u shpreh e kënaqur nga rezultat që janë raportuar në fushat e përfshira në udhërrëfyesin e qeverisë për BE-në.
"Gjatë këtij raporti që kemi pasur ndaj Bashkimit Evropian kemi arritur që të nënvizojnë disa sfera të rëndësishme të realizimit të udhërrëfyesit për BE-në. Marrëveshja dhe procesi i dialogimit me pjesëtarët e mediave, raporti për realizimin e M.O-së , çështjet që kanë të bëjnë me procedurat dhe ndryshimet sa i përket procedurave zgjedhore dhe listave të votuesve", deklaroi Teuta Arifi, zv/kryeministre për çështje evropiane.
Ndërkaq zv/kryeministrja Teuta Arifi sot takoi edhe përfaqësuesen tjetër për Zgjerim në Komisionin Evropian Aleksandra Kas Granje, në kuadër të mbledhjes së tretë zyrtare të Komitetit Sektorial Monitorues për Komponentin e parë të fondeve IPA. Para largimit, ata njoftuan vizitën e tretë që Komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle do ta realizojë në Maqedoni më 17 shtator. Semra Jakupi