8956 apo 1817? Cila nga këto shifra paraqet pasqyrën reale të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë? BDI-ja e Ahmetit mbron shifrën prej afro 9 mijë punësimeve, dhe për këtë thirret në raportin e Avokatit të Popullit, derisa oponenti i saj politik PDSH-ja minimizon këtë shifër dhe e rrëzon në 1817 punësime për shqiptarët në tre vitet e fundit. Pikërisht këto shifra ka qenë shkas për të vazhduar përplasjet politike në taborin shqiptar. Për BDI-në deklarata e djeshme e deputetit të PDSH-së Bekim Fazliu është vetëm se një 'mashtrim i paskrupullta që i shkon për dore vetëm PDSH-së'.
"BDI dhe kryetari Ali Ahmeti, thirren në raportet e institucioneve të pavarura kur bëhet fjalë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë të shqiptarëve. Ashtu siç njoftoi edhe kryetari Ahmeti, sipas avokatit të popullit, numri i shqiptarëve në administratën shtetërore është rritur për 8956 shqiptarë nga viti 208 deri në vitin 2011, pa llogaritur konkurset e vitit 2012. Sipas këtij raporti pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore është 17.2 për qind, njëkohësisht pjesëmarrja e maqedonasve në tre vitet e fundit është zvogëluar për 5.14 për qind", u shpreh Artan Grubi, BDI.
Ndërkohë lidhur me institucionet me zero të punësuar shqiptarë të apostrofuar nga PDSH-ja, Grubi u shpreh: 'Ndoshta PDSH-ja pret që në Strumicë dhe Vallandovë të ketë të punësuar shqiptarë".
"Sa i përket gënjeshtrave rreth të punësuarve nga Agjensioni për administratë sipas informacioneve zyrtare nga viti 2008 e deri në vitin 2011 ky Agjension ka publikuar gjithsejtë 5587 shpallje për vende të reja të punës nga të cilat 2151 u kanë takuar shqiptarëve nëpërmjet Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit. Ku janë ata 45 mijë maqedonas në të cilët thirret PDSH-ja. Rreth institucioneve me 0 përfaqësim shqiptarë, ndoshta PDSH pret që ndonjë shqiptarë të punoj në shkollat e Strumicës apo Vallandovës", tha Artan Grubi, BDI.
Ndryshe Bekim Fazliu i PDSH-së gjatë ditës së djeshme ironizoi shifrat që kreu i BDI-së Ali Ahmeti dha për punësimin e shqiptarëve gjatë 3 viteve të fundit në qeveri. Fazliu paraqiti të tjera shifra, '45 mijë punësime për maqedonasit dhe vetëm 1817 për shqiptarët'. Ai tha se ky është realiteti i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në tre vitet e fundit të qeverisjes së BDI-së me VMRO DPMNE-në. Bedri Rexhallari