Njëri vëlla ministër kurse tjetri drejtor i spitalit shtetëror. Ekspertët kanë qëndrime të ndara nëse mund të ketë konflikt interesi në rastin e ministrit të financave Fatmir Besimit dhe vëllait të tij Florin Besimi, i cili është drejtor i spitalit të Tetovës. Ish anëtari i komisionit anti-korrupsion Arif Musa për Alsat shprehet se ka shumë mundësi të ketë konflikt interesi. Arsyeja për këtë është se të dytë janë në poste të larta drejtuese. Lidhur me rastin konkret, Musa thotë se spitali në Tetovë mund të favorizohet nga ministri për marrjen e fondeve nga buxheti i shtetit. Ai vlerëson se dikush tjetër do të duhet të vendosë e jo ministri kur spitali i Tetovës do të aplikojë për mjete nga buxheti ose përfitime tjera shtetërore.
Arif Musa- ish anëtar i KSHKK
"Kur duhet të merret vendimi i tillë, atëherë ministri duhet të tërhiqet nga vendimmarrja. Ministri duhet të bëjë diçka tjetër për projekte të tilla. Do të thotë, nuk duhet të marrë pjesë fare në vendimmarje për financimin e projekteve për spitalin e Tetovës".
Por, Sllagjana Taseva nga "Transparencë Internacional" thotë se nuk ka lidhshmëri midis resorit të Financave dhe spitalit të Tetovës dhe këtu nuk ka konflikt interesi.
Ndryshe, fillimi i mandatit të qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, u përcoll nga skandali i nepotizmit. Ishin të përfshirë të afërm të ministrave dhe zyrtarëve të lartë të pushtetit që u punësuan nëpër vende të ndryshme. Disa prej tyre u larguan nga vendet e punës për shkak të presionit të opinionit, por një pjesë e mirë e tyre ende marrin paga nga shteti.