Elbasani nuk gjen qetësi nga krimi. Pasditen e sotme një person është qëlluar për vdekje me armë zjarri. Viktima është Emiljano Ramazani 39-vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 pranë një pike karburanti te rrethrrotullimi i luleve në hyrje të qytetit. Report Tv mëson se Emiljano Ramazani është ekzekutua me kallashnikov brenda në makinë. Vëllai i viktimës ka një lokal në qendër të qytetit të Elbasanit. 39-vjeçari që sot u ekzekutua në Elbasan dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa atentate. Autorët pas vrasjes kanë ikur në drejtim të Paprit ku ka djegur makinën e përdorur në një ullishte. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes. Në drejtim të Elbasanit ka shkuar edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Ardi Veliu.