VORË- Pas dështimit të dëgjesës publike ditën e djeshme, banorët që preken nga projekti i rindërtimin kanë dalë ditën e sotme sërish në protestë, ku kërkojnë një takim me kryetarin e komanduar të Bashkisë së Vorës, Hekuran Brahimaj.
Ato nuk lejojnë shembjen e banesave dhe bizneseve të tyre, për dy arsye. Së pari shprehen se nga akt-ekspertimi është konstatuar se nuk janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe se dyti shprehen se nuk u është dhënë një përgjigje konkrete se çfarë do të ndodh me ta, nëse do të kompensohen me një tjetër shtëpi apo do të dëmshpërblehen."Ne sipas dokumenteve jam pa dëmtuar, DS1 kam 6 punëtor të siguruar, kam lokal, nuk jam i dëmtuar fare. Tani do për të më shembur. Ai thotë unë do të shemb, as kompensim asgjë".
"Na dhanë një letër boshe, as vulë as asgjë. U them më jep një fotokopje, nuk na jep. Unë e kam shtëpinë në zonën 1, do më japin shtëpi si kohën e Enver Hoxhës, kush e di se ku", shprehen disa nga protestuesit.
Protesta është shoqëruar me momente tensioni me protestuesve dhe policisë, kjo për shkak se ata kanë tentuar që të futen me forcë në dyert e Bashkisë, në mungesë të një përgjigje të kryetarit në detyrë, Hekuran Brahimaj. Ky i fundit, u ta fillimisht që do i priste në zyrë, por më pas ua anuloi takimin duke u thënë që ankesat që kishin t'i linin te informacioni. Një përgjigje e tillë, për protestuesit është tallje. "Na thanë bëni një përfaqësi prej 3-4 vetash dhe hajde se ju prej në zyrë, ka kaluar pothuajse 1 orë, por ju ca ankesash keni lërini te informacioni se do i shikojmë ne, kjo është tallje", tha një nga protestuesit.
Report Tv u interesua pranë bashkisë Vorë për një reagim në lidhje me situatën, por jashtë kamerave për ta protesta cilësohet si e stisur pasi banorët po kompensohen 100 % të vlerës dhe do të kenë një qytet modern në përfundim të projektit. Në përfundim të protestës, banorët deklaruan se do të jenë sërish nesër para zyrave të bashkisë deri sa të marrin një përgjigje dhe kërkesat e tyre të bëhen pjesë e planit.