TIRANE-Report Tv vijon që të ndjekë problemin e krijuar nga mbetjet urbane në lumenjtë e vendit. Sot gazetari i Report Tv Arsen Rusta ishte te ish-Fusha e Aviacionit, ku mbetjet kanë pushtuar lumin e Tiranës. Situata është dramatike, landfill i hapur në natyrë, 'bombë ekologjike', një kërcënim real për qytetarët, ndërsa institucionet ende nuk i kanë 'parë'. Inxhinieri i mjedisit, pedagogu Lulzim Bauman në një prononcim për Report Tv u shpreh se deri në derdhjen në Adriatik janë mbi 100 pika të nxehta, që kërkojnë ndërhyrje urgjente.
"Nga Shkoza dhe Lanabregasi është katastrofa mjedisore. Janë mbetje urbane, shtëpiake, por edhe industriale. Këtu kemi mungesë koshash. Kemi pika prej 16 vitesh, si në Valias, 4 metra. Më parë ishte djegur. Ajo është skandaloze për mjedisin. Plastika do 500 vite që të riciklohet. Ky është një lum i vdekur, në këtë lloj lumi nuk jeton asnjë lloj organizimi. Niveli i metalit është shumë lart. Kadiumi që është shumë i rrezikshëm, në këtë lum është 104 herë më shumë se normat.Ky i ngordh gjallesat dhe njerëzit. Edhe baseni i Ishmit, që shkon në grykëderdhje, aty ka njerëz që gjuajnë për peshk. Mendimi im është që shteti nuk duhet ti lejojë njerëzit që gjuajnë peshk, se është i infektuar. Kadiumi është metal që vjen nga industritë e riciklimit. Kjo është bombë ekologjike. Landfilli pastrohet për dy ditë. Baseni i Ishmit do të paktën një vit" tha ai.