Një bombol gazi ka shpërthyer brenda një banese duke lënë të plagosur dy persona, burrë dhe grua. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Libofshë të Fierit, rreth orës 17:30. Të plagosur kanë mbetur Muharrem Zajmi dhe Odeta Zajmi, të cilët kanë marrë plagë të lehta në kokë dhe janë dërguar në spitalin rajonal për të marrë ndihmën mjekësore.
Sipas burimeve bombola e gazit kishte defekt në çelësin e mbylljes dhe për këtë kishte rrjedhje të tij në banesë. Duke qenë se kishte rrjedhje gazi, Muharremi mori bombolën ta nxirrte jashtë, por kalimi i tij përmes shtëpisë drejt derës së jashtme përhapi gazin në kuzhinë dhe dhomë. Kjo shkaktoi rënie zjarri në sobë duke lënduar Odetën dhe Muharremin me plagë të lehta. Flakët u shuan menjëherë, ndërsa dëmet materiale llogariten të mëdha. Në banesë ishte edhe i djali i çiftit, i cili është me aftësi ndryshe, dhe fatmirësisht mbeti i palënduar nga shpërthimi.
Ai tha se po tentonte të ngrohte gjellën kur gazi filloi të rrjedhë, ndërsa nga flakët mbetën të lënduar dy prindërit e tij.
"Unë jetoj me prindërit dhe shpërtheu bombola e gazit. Unë do ngrohja gjellën, por ajo shpërtheu, shyqyr që nuk vajta atje. Dëme ka shumë, ndërsa prindërit e mi mbetën të plagosur.' tha për Report Tv djali i çiftit të plagosur
Çifti fatmirësisht ka marrë disa plagë të lehta në kokë dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën.