Me këtë prolog të konferencës së jashtëzakonshme për shtyp, Presidenti Ilir Meta paralajmëroi një kallëzim shtesë pas atij të bërë tre muaj më parë për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardjan Dvoranin, të cilin e akuzon se është vënë në shërbim të mazhorancës për kapje politike të Gjykatës Kushtetuese.
Në mbështetje të akuzës së bërë për Ardjan Dvoranin solli një korrespondencë mes tij, Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilën tha se do ta depozitojë si provë të re lidhur me procedurën e ndjekur në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas presidentit Meta, në shkelje flagrante kreu i KED-së, përmes një shkrese të datës 8 Nëntor, ka keqinformuar Kuvendin duke fshehur informacionin e mbërritur nga Presidenti i Republikës në datën 5 Nëntor. Kreu i shtetit tha se e kishte vënë në dijeni KED-in mbi vullnetin e tij të shprehur për ushtrimin e kompetencës për vakancën e krijuar me emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
?Dvorani pa zhvilluar asnjë mbledhje të KED pa patur kompetencën ligjore të përgjigjet për çështje të tilla dhe aq më pak të kryejë interpretime të kushtetutës konstaton si të jetë vetë Presidenti zgjedhjen e një anëtari të gjykatës kushtetuese. Nëpërmjet këtij komunikimi shkresor Dvorani pa asnjë kompetencë të shprehur në kushtetutë apo ligj dhe duke mashtruar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar ka shtrembëruar fakte dhe ka abuzuar me detyrën me qëllim që në bashkëpunim me Kuvendit ti rrëmbenin Presidentit kompetencën për emërimin e anëtarit të gjykatës kushtetuese që i takonte presidentit?.
Meta thotë se pas kësaj shkelje ligjore të kreut të KED-së, fshihet plani i Dvoranit për ngjitjen e tij në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti Meta foli sërisht për grusht shteti kur iu referuar paketës AntiKÇK dhe ndryshimeve në ligjin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e duke akuzuar mazhorancën se keqpërdori edhe komisionin Venecias.
Ndaj dhe përgjigjen tha se do ta japë me dekret, ndërsa në 20 mars tha se do të jetë vetë i pranishëm në Komisionin e Venecias.
?Grushtit të shtetit, Presidenti i përgjigjet me dekrete?.
Aq më pak ka ndërmend të largohet nga zyra e tij, ndonëse mazhorancën e ka akuzuar për marrje të kompetencave në shkelje të Kushtetutës.
Tv Klan