TIRANË- Partia Socialiste ka mbledhur paraditen e sotme Kryesinë, në fokus të së cilës kanë qenë diskutimet për organizim të brendshëm. Mbledhja ka zgjatur për rreth 60 minuta dhe në fund të saj, ishte kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla i cili zbuloi atë se çfarë është diskutuar, ku vuri theksin në ristrukturim total të partisë, përfaqësim gjinor të barabartë si dhe dha edhe një përgjigje përfundimtare lidhur me pyetjen nëse mazhoranca do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Balla tha se në Kongresin që do të mbahet me datë 29 shkurt do të përcaktohet edhe axhenda politike e PS dhe nuk është planifikuar zhvillimi i këtyre zgjedhjeve, duke bërë edhe një batutë që pas kësaj date, do të jetë i qetë që nuk do të pyetet gjithmonë për këtë çështje.
Me zgjedhjen e delegatëve të kongresit, jemi partia e parë në vend dhe në pjesë më të madhe me parttë e tjera në Europë, që kemi përfaqësuar idenë e bashkëdrejtimi, për një përfaqësim të barabartë në strukturën organizative të partisë. Proces transparent në zgjedhjen e kandidatëve. Disa rregullime në statut. Në kongresin e partisë do miratojmë dhe një axhendë të aktivitetit politik të PS, në këto 29 vite kanë qenë momente të rëndësishme në jetën politike të vendit. Nga strukturat e partisë kemi marrë një sërë kandidaturash në degën e partisë në Shkodër, jemi duke diskutuar dhe shumë shpejt do të kemi edhe aty një drejtues të PS që të përmbushë pritshmërinë e PS dhe popullit të PS-së. Pas 29 gushtit do të kemi Asamblenë e re kombëtare dhe kryesinë e re të partisë, dhe ai do të jetë momenti dhe në Shkodër të kemi një drejtues të ri politik", tha Balla.
Mbledhja e sotme vjen 19 ditë nga mbajtja e Kongresit të PS ku do të zgjidhen anëtarët e tij.