Këto janë momentet,kur tërmeti i fuqishëm me magnitude 6.8, goditi mbrëmë në orën 19.55 minuta me orën lokale, provincën e Elazigut, në lindje të Turqisë, duke shkaktuar viktima, të plagosur e dëme të shumta.
22 persona kanë mbetur të vdekur nën rrënojat e disa ndërtesave të shembura, ndërsa 1030 të tjerë u plagosën. Të paktën 40 prej tyre po luftojnë me vdekjen në spitale.
Ekipet e emergjencës po punojnë pa ndërprerje, në një luftë me kohën, për të shpëtuar me dhjetëra persona që mendohet se janë nën rrënoja.
Nën pirgjet e betonit ka shenja jete. Mediat turke publikuan disa thirrje telefonike për ndihmë të të mbijetuarve.
45 persona u nxorrën të gjallë, por mendohet se të paktën 20 të tjerë kanë mbetur të bllokuar. Një grua u shpëtua pas 13 orësh, pasi kishte telefonuar të afërmit e saj dhe u kishte treguar ekzaktësisht vendin se ku kishte ngecur.
Një djalë 12-vjeçar u nxorr gjithashtu nga një ndërtesë e përmbysur, por vdiq më vonë në spital. Pamjet që vijnë nga mediat turke tregojnë nivelin e shkatërrimit të disa qendrave të banuara përreth epiqendrës.
Banorëve u është bërë thirrje të mos hyjnë në shtëpitë e dëmtuara për të shmangur rrezikun. Të frikësuar mijëra prej tyre e kaluan natën jashtë në temperatura të ulëta.
Sizmologët thanë se pas goditjes së fuqishme, ndodhën rreth 200 pas lëkundje me magnitudë më të vogël se 6.8 te shkalles rihter. Tërmeti shkatërrues u paralajmërua nga sizmogologu grek Gerasimos Huliaras.
12 orë përpara, ai shkruante në Twitter se 86.7 përqind vendi rrezikohej nga një lëkundje më e forta se 5.6 e shkallës Rihter që goditi Stambollin Shtatorin e kaluar.
Presidenti Erdogan anuloi axhendën e tij dhe shkoi në provincën e Elazigut për të parë nga afër dëmet, ndërsa shtetet fqinje dhe mjaft vende të tjera janë ofruar për të ndihmuar në kapërcimin e situatës.
Tv Klan