Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel u shpreh nga Tirana ku po zhvillon një vizitë zyrtare se vendet anëtarë të BE-së nuk kanë unanimitet për cështjen e negociatave dhe se në javët në vijim liderët e unionit do të vendosin fillimisht për metodologjinë e pranimit të shteteve të reja.
Charles Michel shpjegoi se janë tre shtyllat kryesore, e para që lidhet me formatin e ri të procesit të zgjerimit, e dyta ka të bëjë me orientimin e Komisionit Europian me atë që do të kërkojë dhe hartojë në progres raport dhe e treta ka të bëjë me investimet në Ballkanin Perëndimor. Ai inkurajoi vijimin e reformave dhe dialogut në vendet kandidate. Një tjetër pikë e rëndësishme ishte edhe Konferenca e Donatorëve që do të zhvillohet në 17 Shkurt në Bruksel, për të cilën Charles Michel tha se "do të angazhohet me qëllim që përtej fjalëve të ketë mbështetje reale".