FIER-Fëmijët e fshatit Darëzezë së bashku me mësuesit sot kanë bojkotuar mësimin, ndërsa së bashku edhe me prindërit kanë protestuar në qendër të fshatit. Arsyeja e protestës janë kushtet e udhëtimit me autobus nga Darëzeza në fshatin Topojë. Gjithsej janë 70 nxënës dhe mësues që udhëtojnë cdo ditë, por ata ankohen se autobusi nuk ka ngrohje dhe njëri prej tyre nuk ka frena.
"Nuk ka kushte rrimë në këmbë në autobus dhe është ftohtë, pasi nuk ka ngrohje" thonë nxënësit. Ndërsa disa të tjerë ngrenë alarmin se njëri nga autobusët me të cilin udhëtojnë cdo ditë nuk ka frena. Përballë kësaj situate, ata kërkojnë përmirësimin e kushteve të transportit, por mbi të gjitha nisjen e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare së tyre në Darëzezë.Në fillim të këtij viti shkollor për shkak të dëmtimit të shkollës, institucionet arsimore rajonale në Fier vendosën që deri në rikonstruksionin e plotë të godinës fëmijët zhvendosen në Topojë, raporton gazetari i Report Tv Kristaq Thano.