Sot mbushen nëntë vite nga 21 Janari i vitit 2011, kur Garda e Republikës, asokohe nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve të thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë, duke vrarë katër protestues të pafajshëm dhe plagosur gjashtë të tjerë. Nga protesta mbetën të vrarë; Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ajo që nuk është përcaktuar ende është arma nga u qëllua Aleks Nika, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar.