SPAK çon ne gjykate “dosjen 339”

RTV KLAN 2020-01-20

Views 6

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK e ka dërguar në gjykatë dosjen voluminoze dhe të shumëpërfolur 339, e cila deri tani ka çuar në pranga 63 persona të akuzuar për vepra të rënda penale.
Por pjesë e fashikullit të dorëzuar në Gjykatë nuk është pjesa e hetimit mbi dyshimet për shit-blerjen e votave ne Durrës.
Dosja e SPAK, e dorëzuar 3 ditë më parë në gjykatë, përmban hetime për 25 persona të akuzuar për prodhim dhe trafikim droge në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Pjesa tjetër akuzohen për tjetërsim pronash, shpërdorim detyre, apo manipulim të zgjedhjeve.
Hetimet nisën në Dhjetor 2016 pas arrestimit të 3 personave në Kavajë, tashmë të dënuar për trafik heroine. Më pas prokuroria zbuloi se pas tyre fshiheshin persona me influencë në zonën e Shijakut.
Ata trafikonin kokainë dhe heroinë nga Kolumbia dhe Turqia për ta shpërndarë në Europë ku dërgonin edhe kanabis. Në përgjime dilnin ata që njihen si ?Avdylajt e Shijakut?. Këtij grupi, me degë në Durrës, Lezhë, Fier e Sarandë, iu kap në Itali në Shkurt të 2017-ës një dërgesë me 2 ton kanabis.
Më herët Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për gjykim 38 të pandehur të tjerë, për të cilët vazhdon gjykimi. Pas hetimeve janë sekuestruar dhe konfiskuar, pasuri të paluajtshme truall në bregdet me sipërfaqe 300 mijë m2, e cila ka qenë pronë shtetërore e përfituar në mënyrë të paligjshme nga anëtarët e grupit kriminal.
Gjithashtu janë sekuestruar hotele, apartamente, automjete, me një vlerë prej rreth 5 milionë euro. Hetimet në lidhje me këtë çështje vazhdojnë. Pjesë e Dosjes janë edhe ish-deputetët socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka që po përballen në gjykatë njëri për shpërdorim detyrë si ish-drejtor i burgjeve dhe tjetri për çështjen e tjetërsimit të pronave në Lezhë.

Share This Video


Download

  
Report form