Arkiva Lajme - Tv Klan 2000
Personi në mes të policëve është Roland Kastori i akuzuar për vrasjen e Ilir Bardhit, në burgun 313 dy ditë më parë. Nën masa të forta sigurie ai në këto pamje eskluzive për Klan, po del nga gjykata e Tiranës në mesditën e sotme. Arrest me burg pa afat, kështu është vendosur sot në seancën e masës së sigurisë për të akuzuarin, si vrasës i të paraburgosurit Ilir Bardhi.
35-vjeçari Roland Kastori i arrestuar vetëm pak momente pas goditjes me snajper brenda në qelinë e burgut 313, të Bardhit, sot ka dalë për herë të parë në publik që pas arrestimit. Megjithatë, prokurori i gatshëm Saimir Hysi sot ka rreshtuar prova që sipas tij vërtetojnë autorësinë e Kastorit në vrasje. Sipas prokurorit Hysi, arresti në flagrancë nga forcat e Reneas dhe kapja e armës së krimit në makinën nga doli me të shpejt Kastori vërtetojnë autorësinë e tij në eleminimin e 25-vjeçarit Ilir Bardhi në qelinë e ajrimit të burgut 313.
I pyetur dhe në hetuesi, Kastori nuk ka pranuar të flasë pa praninë e avokatit. Megjithatë në përfundim të dëgjimit të të dyja palëve, gjyqtari i gatshëm Altin Shkurti vendosi si masë sigurie për Kastorin burgun pa afat. Pas kësaj 35-vjeçari Roland Kastori i shoqëruar nga shumë policë dërgohet në spitalin e burgut ku është izoluar para dy ditësh nën masa të forta sigurie.
Ndërkohë hetimet e prokurorisë vazhdojnë, ku po studiohet për ndonjë lidhje të Kastorit dhe dy viktimave, Denis Gina e Medjan Shehu, të vrarë një vit më parë, vrasje për të cilën akuzohej Ilir Bardhi./tvklan.al
Gazetar ? Eduart Frangaj