TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin e Aplit të Tiranës, Genti Xholi dhe  gjyqtarin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Klodian Kurushi. Ndërkohë Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj, njëherazi anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është shkarkuar nga detyra, raporton gazetari i Report Tv Arsen Rusta. Ndërkohë drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, e cila kandidon për një vend në Prokurorinë e Posaçme, SPAK pasi u përball këtë të martë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit është konfrimuar në detyrë.
Gjyqtari i Krimeve të Rënda, Klodian Kurushi është përballur këtë të martë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ku për të është vlerësuar që të konfirmohet në detyrë, pasi nuk janë gjetur probleme apo shkelje. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale dhe në të tre këto shtylla, Kurushi ka dalë i pastër.  Trupa gjykuese për Kurushin që kreu procesin e vetingut përbëhej nga Suela Zhegu, Alma Faskaj dhe Lulzim Hamitaj. Klodian Kurushi ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe e ka nisur karrierën në drejtësi nga Gjykata e Sarandës. Në nëntor 2005, Kurushi është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 14 vitesh. Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie, si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë si dhe ekspert dhe trajnues në Shkollën e Magjistraturës.Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë edhe prokurorin e Apelit të Tiranës, Genti Xholi. Dy zyrtarët e lartë të drejtësisë kanë kaluar me sukses tre kriteret e vlerësimit, atë të pasurisë, kontrollin e figurës dhe aftësive profesionale. Genti Xholi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si prokuror në Prokurorinë e Tiranës, institucion të cilin e ka drejtuar për një periudhë kohe. Në vitin 2010, ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Tiranës, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 9 vitesh.