SHKODER- Makina e gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri është djegur rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme pranë Kishës Françeskane në Shkodër. Për pasojë është shkrumbuar plotësisht edhe një automjet tjetër që ishte parkuar pranë tij.
Makinës së parkuar i është vënë flaka nga dy persona të cilët janë fiksuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve aty pranë. Pasi i kanë vënë flakën automjetit ata janë larguar .
Mësohet se autorët janë identifikuar, por për arsye hetimi, emrat e tyre nuk bëhen të ditur.
Burime për Report Tv, pranë Policisë së Shkodrës bëjnë me dije se nga hetimet e deritanishme rezulton se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërkohë që blutë e Shkodrës kanë marrë në pyetje edhe vetë gjyqtarin për të mësuar nëse ai ka pasur kërcënime për çështje që mund të ketë pasur në gjykim, ose konflikte të mëhershme.
Andri Ymeri, gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, ka qenë për disa vite edhe kryetar i kësaj gjykate.