Dosja në ngarkim të numrit një të Partisë Demokratike Lulzim Basha i akuzuar së bashku me dy zyrtarë të lartë të kësaj partie në lidhje me çështjen kontratave të lobimit në Shtetet e Bashkuara, nuk ka shkuar ende në Gjykatë.
Nëntë ditë më parë prokuroret Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha mbyllën hetimet vetëm me akuzën e falsifikimit dhe rrëzuan atë të pastrimit të parave, për të cilën nisën hetimet dy vjet më parë, pas një shkrimi të revistës amerikane ?Mother Johnes?.
Në shkrim, hidheshin dyshime se 650 mijë Dollarë i ishin paguar Nik Muzin nga ?Biniata Trade?, nje kompani me pronarë ruse, për llogari të Partisë Demokratike.
Por prokurori tjetër i çështjes, Kolë Hysenaj, nuk u pajtua me vendimin për të mbyllur hetimet, duke sjellë kështu bllokimin e dosjes.
Hysenaj mësohet se nuk ka qenë dakord me mbylljen e hetimeve pa u marrë në pyetje shtetasi amerikan Nik Muzin, i cili konsiderohet një person kyç në këtë çështje.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj u kërkoi dy prokurorëve që dërguan dosjen në gjykatë, një relacion me shkrim se pse nuk e kanë pyetur shtetasin amerikan Nik Muzin në kohën që autoritetet amerikane kanë qenë dakord për marrjen e tij në pyetje.
Ajo ka 3 ditë afat për përgjigjen, por edhe pas kalimit të këtij afati, dosja ka ngelur në Prokurori dhe nuk i është përcjellë Gjykatës, e cila do të vlerësojë nëpërmjet gjykatësit paraprak nëse do të shkojë për gjykim apo do të kthehet për t?u plotësuar me hetime të mëtejshme.
Tv Klan