Samiti dy ditor i krerëve te shteteve dhe qeverive të BE-së 17-18 tetor në Bruksel ka në fokus përpjekjet e Britanisë për të qëndruar apo për t'u larguar nga Bashkimi Evropian me 28 anëtarë, si dhe operacioni turk në veri të Sirisë dhe zgjerimi i bllokut evropian. BE në këtë samit diskuton edhe për reformim të procesit të zgjerimit. Dita e nesërme 18 (tetor) pritet të jetë dita vendimtare për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pavarësisht mbështetjeve të dhëna nga pjesa dërrmuese e vendeve të BE me në krye shtetin lider, Gjermaninë, do të mjaftonte vetëm një shtet që të vendoste 'veton' dhe ëndrra për hapjen e negociatave do të mbetje përgjysmë. E në këtë tetor edhe pse Shqipëria e Maqedonia kanë bërë shumë për të merituar hapjen e negociatave, skeptikët nuk mungojnë. Deri më tani zëri kundër që po u jep fuqi skeptikëve është Franca me në krye Emmanuel Macron i cili edhe pse vlerësoi hapat para që kanë bërë dy vendet tha se Bashkimi Europian ka nevojë për nje reformim në tërësi. Pas këtij qëndrimi të Macron, Angela Merkel nuk mundi ta bindë, dhe vetë ajo pranoi se shanset për Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk janë të mira. Po kështu ditën e sotme Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa mori pjesë në samitin e liderëve të BE-së deklaroi se për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut nuk sheh shpresë në horizont.
"Fatkeqësisht, nuk ka shenja pozitive për një vendim për fillimin e negociatave të pranimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Më vjen shumë keq sepse besoj me vendosmëri se të dy vendet kanë bërë përpjekje të mëdha për të ecur më afër standardeve evropiane dhe meritojnë një sinjal pozitiv,? theksoi Von der Leyen.