Pas Bankës Botërore, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar me ulje rritjen ekonomike të Shqipërisë. Në raportin ?Perspektiva Ekonomike Botërore?, FMN vlerëson se rritja ekonomike e vendit përgjatë këtij viti do të jetë 3%, nga 3.7% që projektoi në muajin Prill.
Kjo është hera e parë që ekonomia e vendit ngadalësohet që prej vitit 2013, ndërsa si ritëm rritje është më i ulëti që prej 2015-s.
Në 6 muajt e parë të vitit, ekonomia vendase shënoi një rritje me 2.36%, ku sipas Institutit të Statistikave shkaku kryesor ishte rënia e prodhimit të energjisë elektrike dhe efekti i mbylljes së lojërave të fatit dhe përfundimit të punimeve të gazsjellësit TAP.
Qeveria shqiptare ka vlerësuar në fillim të vitit se ekonomia e vendit në 2019-n do të rritet me 4.3% , por në aktin normativ të buxhetit edhe Ministria e Financave ka ulur me 450 milionë dollarë vlerësimin për rritjen nominale të prodhimit kombëtar.
Rishikimi i uljes së rritjes ekonomike nga FMN dhe qeveria, rrezikon në fund të vitit rritjen e nivelit të borxhit publik, i cili sipas përcaktimeve në ligjin e buxhetit, duhet të jetë në përputhje me vlerësimet e Fondit.
Në momentin që vlera e GDP-së ulet, përqindja e borxhit rritet. Për këtë vit qeveria ka marrë përsipër të ulë në 65.5% të prodhimit kombëtar trajektoren e borxhit.