TIRANË-Ish-drejtuesi i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka kaluar vettingun duke u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Hajdarmataj para dy ditësh doli para trupës së komisionit të vettingut që nuk kapi shkelje. Gjithashtu, trupa e KPK-së vendosi transferimin e dosjes që i përket cështje penale nr. 129 të vitit 2010 pranë organit kompetent (ILD) për inspektimin e shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore.
Në seancën e kaluar, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i kërkoi një shpjegim Besim Hajdarmatajt pse u transferua dosja e 12 tonëve kanabis, sekuestruar në Përmet në 2017 tek Prokuroria e Përmetit. Por Hajdarmataj tha se ai ka respektuar pavarësinë e prokurorit të çështjes pasi kështu e detyron ligji, ndërsa mbi 25 denoncimet e bëra për të KPK tha se nuk kishin prova që faktonin shkeljen e ligjit. Për hetimin e pasurisë, prokurorit që kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, KPK zbuloi edhe një dhuratë në 6 mijë euro dhe 4 mijë paund nga vëllai i prokurorit që jetonte në Angli.Por, pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit të mbledhur, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin e tij në detyrë. Hajdarmataj nuk u përzgjodh në listën e 15 prokurorëve të SPAK edhe pse kandidoi. Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.
Në maj të vitit 2018, kryeprokurorja Arta Marku e shkarkoi Hajdarmatajn si drejtues të Prokurorisë për Krimet e Rënda, duke e zëvendësuar me Donika Prelën. Disa muaj më vonë, Marku e transferoi Hajdarmatajn në Progradec, por në fillim të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ktheu atë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë por këtë herë si prokuror.