Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta tha se nëse mazhoranca do të shprehte vullnet për të pasur zgjedhje me përfaqësim të plotë politik, atëherë zgjedhjet vendore mund të ishin mbajtur edhe brenda muajit korrik, në mënyrë që të mos krijohej problem me mandatin e të kryebashkiakëve që përfundonin detyrën. Kreu i shtetit tha se nëse në këtë rast opozita, pra PD dhe LSI, do të tregoheshin "kokëfortë" dhe sërish nuk do të merrnin pjesë në zgjedhje, atëherë i duhej dhënë mundësia opozitës së re të futur në Kuvend pas dorëheqjes në bllok të PD-së, LSI-së dhe aleatëve, që të kishin kandidatët e tyre për kryebashkiak. Kjo - tha Meta - do të bënte një diferencë të rëndësishme mes votimeve që sipas tij u mbajtën më 30 qershor, dhe zgjedhjeve.
"Kush tha që zgjedhjet e reja vendore nuk mund të caktoheshin brenda muajit korrik? Qëllimi im ka qenë për të vendosur datën më të afërt më të shpejtë dhe për të garantuar gjithëpërfshirje. Në shumicën e bashkive kishim vetëm nga një kandidat. Në këtë drejtim edhe në rast se partitë e opozitës të cilave u duhej dhënë një mundësi të reflektonin do të vazhdonin me kokëfortësinë e tyre të mos bëheshin pjesë e zgjedhjeve, opozita e re do kishte mundësi të regjistroheshin si kandidatë alternativë që Shqipëria të garantonte standarde të zgjedhjeve, pra të mos shkonim drejt votimeve. Përpjekjet e mia kanë qenë të vazhdueshme dhe mund t'i referoheni vlerësimit paraprak të OSBE/ODIHR ku thotë që presidenti bëri thirrje për dialog", tha kreu i shtetit në përgjigje të pyetjes së deputetes së mazhorancës Klotilda Ferhati.
Klotilda Ferhati: Anulimi i datës së zgjedhjeve në rastin e asaj që ju e quani krizë përfaqësimi që ka pasur zgjedhjen e subjekteve politike a rrezikon një precedent? Shqetësimi im ka të bëjë me faktin se a nuk bie kjo situatë ndesh me parimin e sovranititetit të popullit dhe a krijohet kosto për breza që do vijnë?