Pasi e akuzuan një javë rresht se e prek ligji i dekriminalizimit për një dënim të marrë në shtetin grek, këtë të hënë demokratët kanë bërë publike edhe dokumentet që provojnë sipas tyre se Agim Kajmaku nuk duhet të jetë më në zyrën e kryetarit të bashkisë së Vorës, por përpara drejtësisë greke dhe asaj shqiptare.
Sipas një vendimi të gjykatës dhe prokurorisë së Janinës të Janarit 2003, të publikuar nga Gazmend Bardhi, Agim Kajmaku që në Greqi përdorte identitetin Jorgo Toto është ndaluar duke kryer një transaksion me para të falsifikuara për blerjen e disa fidanëve dhe bimëve medicinale.
?Sipas dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke rezulton e provuar se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për përballjen me një akuzë, që parashikon të paktën 10 vjet burg. Ai ka të paekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë ?arresti në burg? në fuqi.?
Sipas demokratëve, me heshtjen e tij, Kryeministri edhe pse i informuar për të shkuarën kriminale të Kajmakut, po tregon se po e mbron atë nëpërmjet Prokurorisë së kapur prej tij.
Pas këtyre qëndrimeve ka reaguar pa vonesë kryetari i Bashkisë së Vorës. Kajmaku ka vendosur t?i përgjigjet demokratëve në Facebook, duke kundërshtuar akuzat. Ai thekson se e ka ndryshuar emrin si shumë emigrantë.
?Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime. Kam qenë dhe jam punëtor e familjar. Kam punuar për të nxjerrë bukën e gojës në Shqipëri e në emigracion dhe emrin e kam ndryshuar si të gjithë shqiptarët, që të më jepej mundësia të rrija atje dhe punoja. Partia Demokratike po merret me limona dhe me mandarina emigrantësh shqiptarë, të cilët halli i ka shtyrë të punojnë në një vend të huaj! Ata bëjnë sikur nuk e dijnë se çfarë kanë hequr shqiptarët për të mbijetuar me emra e me mbiemra nga më të ndryshmit në Greqi?.
Kajmaku thekson se fjala u takon autoriteteve. Duke i cilësuar akuzat poshtërsi, ai u premton banorëve të Vorës se do të jetë në çdo moment në krye të detyrës. Ndërkohë, lideri demokrat i kërkoi Kryeministri Rama të përgjigjet për faktet konkrete, sipas tij, të publikuara nga partia e tij. Basha theksoi se Kajmaku duhet të përgjigjet për akuzat para drejtësisë greke dhe asaj shqiptare.