TIRANË- Vijojnë ?dezertimet? në nivelet më të larta të drejtësisë shqiptare, duke evituar kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Arjana Fullani, bashkëshortja e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është gjyqtarja e pestë e lartë, që largohet nga sistemi i drejtësisë, duke mos pranuar të shërbejë në Gjykatën e Apelit. Zonja Fullani u emërua në Gjykatën e Lartë në korrik të vitit 2008 nga Partia Demokratike, ndërsa u dekretua nga Bamir Topi, në atë kohë President. Në korrik të vitit 2017, Fullani u largua nga Gjykata e Lartë, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë pa limit kohor, deri kur të zëvendësohej. Pavarësisht largimit nga Gjykata e Lartë, Fullani, sipas KPK, nuk e humbi statusin e magjistrates, pasi kishte të drejtë të shërbente si gjyqtare në Gjykatën e Apelit. Për rrjedhojë, në datën 15 mars të 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përzgjedhur zonjën Fullani më anë të shortit për t?iu nënshtruan procesit të Vetingut. Por, sipas një vendimi që ka siguruar Shqiptarja.com, Arjana Fullani, në 30 prill të 2018, i ka dërguar një shkresë KPK, ku njoftonte se nuk ka paraqitur kërkesë për t?u emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe se ka filluar ushtrimin e veprimtarisë ekonomike private në profesionin e avokatit. Në këto kushte, ajo ka vlerësuar se statusi i saj si gjyqtare ka mbaruar. Ndërkaq, Komisioni i Vetingut, me një shkresë drejtuar Arjana Fullanit, ka vlerësuar se, megjithëse znj. Fullani i ka mbaruar mandati si anëtare të Gjykatës së Lartë, ajo për shkak të ligjit vijon të gëzojë statusin e magjistrates. Fullani i është drejtuar sërish Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke kërkuar pushimin/ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, për shkak se pretendonte se nuk është subjekt i Vetingut.