SARANDË-Banorët e lagjes Bërdenesh të Sarandës janë të shqetësuar për luhatjet e tensionit të energjisë elektrike. Prej kohësh kjo problematikë nuk ka gjetur zgjidhje sipas tyre, ndërsa pronarë biznesesh ankohen për dëme të mëdha që u janë shkaktuar tek pajisjet elektrike për shkak edhe të mbingarkesës.
"Gjithë kohës, Berdeneshi këtu ka pasur probleme me korentin. Kam këtë biznesin dhe sot mu shkaktua një dëm në frigoriferë. I lutemi shtetit ta shikojë këtë çështje, të na rregullojë pak tensionet, sepse çdo ditë i njëjti problem. Edhe këtu hotelet përballë u dogjën sot shumë frigoriferë dhe ashensorët. Ne kemi shumë vite me këtë problem. Po sot mu shkaktua dëmi i frigoriferit dhe unë nuk kam mundësi financiare që ta paguaj", tha një pronar.
Situata e krijuar ka bërë që edhe pushuesit që vijnë në zonë, largohet sapo përballen me mungesën e energjisë. Bizneset në këtë zonë kanë mbyllur dyert për këtë shkak .
"Unë kam këtë objektin nga mbrapa. Këtu jetojmë edhe familjarisht kemi edhe disa dhoma me qira. Këtu vijnë pushuesit dhe ikin sepse ne nuk kemi korent. Korenti fiket disa herë ditën. Kemi njoftuar drejtorin e KESH dhe e njëjta situatë. Këtu nuk shohim asnjë lloj ndryshimi. Edhe pajisjet na janë djegur, dy frigoriferë, pajisjet e internetit dhe pajisjet e laptopit. Ne tani jemi detyruar t'i mbyllim të gjitha", tha një tjetër.
Mbingarkesa shkaktohet gjatë sezonit turistik edhe prej konsumit më të madh të energjisë, ku kabina e zonës nuk ka kapacitetet ta përballojë. Megjithëse ku problem është prezent prej shumë kohesh, situata nuk ka ndryshuar thonë banorët.