TIRANË- Puna për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese ka nisur dhe në fillim të gushtit emrat e kandidatëve të parë pritet t?i drejtohen Kuvendit dhe Presidentit. Lajmi u bë i ditur nga kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Ai tha se ligji parashikon se procesi nuk do mund të bllokohet edhe nëse presidenti nuk do shprehet me vendimmarrjen përkatëse, por as nëse nuk gjendet shumica e nevojshme në Kuvend.
"Në fillim të gushtit përcjellim renditjet përkatëse tek presidenti dhe Kuvendi brenda një muaji përfundon procedura e tyre. Nëse ata nuk e gjejnë shumicën e nevojshme ose nëse nuk shprehen me vendimmarrjet përkatëse, ligji parashikon edhe mekanizmin që nuk e bllokon procesin", deklaroi Dvorani.
Në listë janë 14 kandidatë që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e trupës së Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë funksionon me 9 anëtarë por aktualisht ka vetëm 1.
Kjo gjykatë pritet të jetë funksionale në muajin shtator, kur do të nisë nga puna duke shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për shkarkimin e kreut të shtetit Ilir Meta por dhe kërkesën e kryebashkiakes në ikje të Shkodrës, Voltana Ademi për shpalljen e pavlefshmërisë së 30 qershorit.