Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri është marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit, pasi është kërcënuar me jetë në Facebook nga një person nga Shkodra. Gjithashtu janë vendosur masa shtesë edhe për familjen e tij dhe në banesë. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se Zgurin e ka kanosur dje një person në Facebook, E. Pjetrini nga Shkodra duke i thënë "Do të vras ty dhe familjen".
Zguri ka njoftuar policinë pas mesazhit, e cila ka nisur hetimet për të vendosur para drejtësisë personin që kërcënoi kryetarin e KQZ-së, që dje kërkoi hapjen e kutive të votimit. E. Pjetrini është shpallur në kërkim, por ende nuk dihet nëse profili nga u kërcënua Zguri është real apo jo. I pyetur mbi kërcënimin, Zguri tha 'pyesni autoritetet' duke mos pranuar që të flasë më shumë. Ndërkohë që edhe në KQZ zyra e tij kishte masa shtesë sigurie, sikur duket nga pamjet e siguruara nga Report Tv në mbledhjen e sotme të KQZ-se, ku Zguri ishte i pranishëm.Në datën 12 qershor, katër anëtarët e KQZ-së nga shumica u morën mbrojtje pas kërkesës që vetë ata i bënë Ministrisë së Brendshme pas situatës kritikave pasi injoruan dekretin e Presidentit. Prej asaj date, Garda i ofroi mbrojtje edhe kryetarit të KQZ, Klement Zguri i cili, edhe pse nuk e kishte kërkuar e pranoi. Ndërkohë dje Zguri u kërcënua duke mobilizuar gardën dhe policinë për masa shtesë në ruajtjen e kryetarit të KQZ-së, i cili në cdo vendim ka dalë kundër procesit zgjedhor që u realizua në 30 Qershor, ndërsa dje kërkoi hapjen e kutive të votimit.