Presidenti Ilir Meta ka vënë sërish si opsion për zgjidhjen e krizës mandatin e tij, por tashmë duke sugjeruar që të jenë shqiptarët që të vendosin në kutitë e votimit për presidentin e ri, në të njëjtën datë të dekretuar prej tij për zgjedhjet lokale të 13 Tetorit.
Me këtë propozim, kreu i shtetit sfidoi edhe ambasadat e huaja, që të japin platformat e tyre për zgjidhjen e krizës, duke akuzuar ndonjë prej tyre si nxitëse të konfliktit. Disa nga ambasadat i akuzoi se janë pjesë e një grupi të strukturuar me anakronimin PPPD, që po përdor Kryeministrin në një eksperiment për të kapur shtetin.
Në krye të kësaj organizate, sipas Presidentit, qëndron filantropisti Xhorxh Soros, të cilin në mënyrë indirekte e fajësoi edhe për trazirat politike të pak kohëve më parë në Maqedoninë e Veriut, por duke theksuar se ndryshe nga ikja e Gruevskit, ai do të qëndrojë si disa figura historike të qëndresës shqiptare.
I pyetur nëse me qëndrime të tij po e fut Shqipërinë në një kurs përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për faktin që përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane nuk ishte në takimin e tij me ambasadorët, dha këtë përgjigje.
?Marrëdhëniet e mia me SHBA janë të kristalta, të sinqerta dhe jashtë çdo lloj fije dyshimi sa i takon përputhjes së vendimeve të mia dhe interesave të tyre në Shqipëri e Ballkan".
Teksa e akuzoi Kryeministrin se ka kapur tashmë çdo institucion dhe Reformën në Drejtësi, publikoi edhe disa mesazhe të kreut të qeverisë, përmes të cilëve thotë se ai e kërcënonte se do të vendoste edhe për fatin politik të Lulzim Bashës, apo Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Nuk pranon se po flet si shef i opozitës. Por pranon se nëse ai do të ishte në Shqipëri kur u mor vendimi, opozita nuk do të shkonte drejt vendimit për djegien e mandateve. Pranon po ashtu se propozimet e tij janë dëgjuar në disa raste të tjera.
E nëse Kryeministri nuk e pranon zgjidhjen e ofruar prej tij, presidenti parashikon një skenar të zymtë. Thotë se gjithçka po e bën në emër të demokracisë dhe integrimit të vendit, teksa e sheh Shqipërinë se po shkon në regres.
Tv Klan