?Dita e votimit ishte e qetë, por shqiptarët nuk patën mundësi të zgjedhin?. Kështu i përkufizoi shefja e misionit të OSBE-ODIHR-it, Audri Glover zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në vendin tonë.
?Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë vendime të administratës zgjedhore u morën duke pasur si objektiv garantimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Ajo çka ishte pozitive ishte se votimi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa probleme?.
Në raportin paraprak të misionit të vëzhguesve thuhet se mbi elektoratin pati presione nga të dyja palët.
?Pati pretendime të besueshme nga qytetarët se ishin në presion nga të dyja palët. Ne pamë prova se votuesit ishin në presion nga të gjitha forcat politike. Kjo nuk e ka lejuar votuesin të votojë i lirë dhe i mirë informuar. Kjo cenoi besimin e votuesve. Megjithatë pavarësisht pasigurisë zgjedhjet u mbajtën?.
Ambasadorja Glover thotë se mungesa e opozitës në zgjedhje nuk u dha alternativa qytetarëve.
?Opozita vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje ndërsa qeveria ishte e vendosur për t'i mbajtur këto zgjedhje pa opozitën. Në këtë klimë të një polarizimi politik zgjedhësit nuk patën ndonjë mundësi reale për të zgjedhur mes subjekteve të ndryshme politike. Në 31 bashki kandidatët për kryetar garuan pa kundërshtar përballë?.
Pyetjes se si i konsideron OSBE-ODIHR zgjedhjet në këto 31 bashki ku pati vetëm një kandidat, Glover e lë në dorë të institucioneve shqiptare.
?Do të thoja se u takon autoriteteve të këtij vendit të vendosin për këto zgjedhje. Ne kemi vëzhguar për atë që kemi parë. Do shihni edhe shumë, por mendoj se ky vend mund të vendosë si do t'i konsiderojë këto zgjedhje. Duhet të ketë edhe një gjykatë funksionale, një sistem funksional gjykatash, që të shqyrtojë ankesat dhe apelimet e kandidatëve dhe zgjedhësve?.
Shefja e misionit të OSBE-ODIHR e lë për më vonë të thotë fjalën e fundit nëse zgjedhjet e 30 Qershorit i përmbushën standardet.
?Ne ende po mbledhim informacione nga vëzhguesit tanë në të gjithë vendin dhe nuk kemi ende një raport të plotë për të gjithë vendin dhe të gjithë procesin zgjedhor. Për dy muaj ne do kemi një raport përfundimtar ku do të jetë ky vlerësim?.
Raporti paraprak i OSBE ? ODIHR është kritik për rolin e KQZ-së.
?KQZ ndonëse e rriti numrin e garuesve herë-herë e interpretoi në mënyrë kreative ligjin dhe nuk ishte gjithmonë transparente në publikimin e vendimeve të saj?.
Në 16 faqet e raportit paraprak thuhet se mjedisi politik para zgjedhjeve ishte i polarizuar dhe antagonist. 30 Qershori vlerësohet si ditë paqësore me protesta të vogla dhe disa raste të izoluara vandalizmi ose dhune të vërejtura në disa zona. OSBE-ODIHR thotë se pjesëmarrja arriti në 21.6% në shkallë vendi dhe se procesi kaloi pozitivisht në 94% të qendrave.
Tv Klan