Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha u duk i tërhequr nga dhuna teksa një ditë më parë, në një konferencë për mediat deklaroi për herë të parë se qytetarët duhet të bojkotojnë procesin zgjedhor më 30 qershor dhe jo ta bllokojnë. Edhe gjatë takimit me përfaqësues të SHBA dhe BE, Basha dha garanci që nuk do të ketë dhunë. Por kjo në fakt, duket të jetë vetëm një kamuflim i një skenari më të gjerë për të bllokuar procesin zgjedhor më 30 qershor. Demokratët do të ngrihen në protesta tre ditë para zgjedhjeve, më 27 qershor, dhe do t'i vijojnë ato çdo ditë, deri më 2 korrik, pesë ditë pa ndërprerje në gjithë Shqipërinë.
Plani për të ndalur zhvillimin e procesit zgjedhor më 30 qershor, do përpiqet të zbatohet jo vetëm në bashkitë që drejtohen nga PD-ja por edhe në ato qytete me kryebashkiakë të Partisë Socialiste. Në këto bashki, siç është Dibra, vetë kryetarët e degëve të PD-së, do të marrin përsipër organizimin e protestave ''në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo shesh'', siç thuhet në një shkresë të datës 26 qershor që Partia Demokratike në Dibër i dërgon policisë për të marrë masa për tubimet e pandërprera duke filluar nga nesër 27 qershor deri më 2 korrik.
Atë që kryedemokrati Lulzim Basha e mohoi në sy të komunitetit ndërkombëtar, si planin për të prishur zgjedhjet me protesta të pandërprera deri më 2 korrik të botuar edhe nga Shqiptarja.com, e fakton kryedemokrati i Dibrës, Naim Gazidede, vëllai i Bashkim Gazidedes, ish-kreut të SHIK në 1997.
"PD dega Dibër së bashku me "Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë" ju bën me dije se nga data 27 qershor deri më 2 korrik organizon protesta në të gjithë rrethin e Dibrës, për mbrojtjen e dekretit të Presidentit për shfuqizimin e 30 qershorit", thuhet në shkresën me firmë të Gazidedes drejtuar Policisë Dibër.