I konsideruar si mushkëria e qytetit të Vlorës, Pylli i Sodës po shkatërrohet. Siç e shikoni, në disa pjesë të tij pemët janë rrëzuar dhe askush nuk shqetësohet për to.
Pylli i Sodës shtrihet përgjatë vijës bregdetare, në një sipërfaqe prej 750 hektarësh. Ambientalistët thonë se rënia e drurëve është fenomen natyror, por që kërkon ndërhyrjen e institucioneve për të bërë sistemin dhe mbjelljet e reja.
Po ashtu, krijimi i disa hot spoteve me mbetje në disa pjesë të pyllit është një tjetër problem.
Prania e mbetjeve në brendësi të pyllit e bën të pamundur qëndrimin aty, për shkak të erës së pakëndshme që krijohet. Specialistët e mjedisit kërkojnë që pushteti vendor të ndërhyjë menjëherë, pasi në këto kushte rrezikohet ekzistenca e këtij pylli.