http://www.vizionplus.tv https://facebook.com/VizionPlusTV https://twitter.com/VizionPlusTV Kjo javë shënoi një rekord të ri të monedhës europiane kundrejt lekut. Duke ju referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë një euro arriti të këmbehej me 121. 6 lekë, duke shënuar kështu nivelin më të ulet të 11 viteve.Që prej fillimit të muajit qershor, euro ka humbur 1 pikë kundrejt monedhës vendase. Ekspertët argumentojnë se një prej shkaqeve të këtij zhvlerësimi lidhet me dobësimin e euros në tregun ndërkombëtar. Unë mendoj se një nga shkaqet e zhvlerësimit të euros lidhet më faktorë të jashtëm, pasi euro është nënvlerësuar kundrejt të gjitha valutave të tjera dhe kjo lidhet me faktin se eurozona po rrezikohet nga deflacioni ndërsa banka qendrore evropiane po diskuton masa nxitëse të ekonomisë së eurozonës. -thotë eksperti Arjan Kadareja. Por faktori i dytë i kësaj situatë lidhet me prurjet valutore nga turizmi. Qershori ka shënuar një tepricë të monedhës evropiane për shkak të fluksit të turistëve që kanë hyrë në vendin tonë. Zhvlerësimi i euros gjatë periudhës së verës është një fenomen i pritshëm, por çfarë do të ndodhë nëse në ditët në vijim do të kemi një zhvlerësim të mëtejshëm? Një euro më e dobët do të zbehë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Mallrat e importit do të vijnë me çmime më të lira, ndërsa prodhimi vendas do të kërcënohet nga shitjet. Ky fakt do të vërë në vështirësi biznesin prodhues vendas si dhe eksportet e për rrjedhojë do të jetë e vështirë që banka qendrore të mbajë objektivin për një inflacion 3 %?, vijon më tej Kadareja. Bizneset kryesore që preken më shumë nga zhvlerësimi i euros janë eksportuesit. Lidhja e kontratave me partnerët e tyre ndërkombëtar me një kurs fiks në fillim vitit, bënë që me dobësimin e euros përgjatë vitit, ata të humbasin nga aktiviteti i tyre.