Në këtë situatë të acaruar politike, me kryebashkiakët e udhëhequr nga opozita jo parlamentare PD-LSI që po sulmojnë KZAZ-të, mazhoranca duket se është përgatitur që në disa zona të mos mbahen zgjedhje më 30 qershor. Zëvendëskryeministri Erjon Braçe, duke folur për mediat sot nga Kuvendi, tha se në ato zona që më 30 qershor do të jetë i pamundur votimi, do të procedohet sipas ligjit. Pra, në ato zona votimet do të mbahen disa ditë pas 30 qershorit, siç ligji e parashikon.
"Gjithë këta që kanë sulmuar me synimin e qartë kriminal për të penguar procesin zgjedhor do të trajtohen sipas Kodit Penal dhe do të marrin atë që u takon. Kushdo që çon në mendje se mund të pengojë procesin elektoral do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe do të marrë atë që meriton. Në 30 qershor do të ketë një proces të qartë dhe të qetë zgjedhor në çdo cep të Shqipërisë. Atje ku do të pamundësohet, pa më të voglin dyshim do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe natyrisht e drejta e qytetarëve kushtetuese për të zgjedhur me votë, as do të shfuqizohet, as do të anulohet, as do të shtyhet, por do të konsumohet siç kushtetuta dhe ligji thotë, pavarësisht angazhimit të çdo ofiqari dhe mandatari për të shkelur rëndë e konsumuar një krim kushtetues që ka të bëjë me shfuqizimin e të drejtë së qytetarëve shqiptarë për të votuar", u shpreh zëvendëskryeministri Erjon Braçe.
Kryetarët e bashkvie të PD-së dhe LSI-së që janë në përfundim të mandatit të tyre i kanë kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të largojnë KZAZ-të e ngritura në institucione në administrim të bashkive, si shkollat etj, pasi sipas tyre në fuqi është dekreti i Presidentit Ilir Meta që i ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Nga ana tjetër mazhoranca e ka konsideruar nul këtë dekret duke ju bazuar vetëm dekretit që Meta ka firmosur në dhjetor që dekretoi si datë për garën elektorale për kryetarët e rinj të bashkive, 30 qershorin. Edhe Kuvendi me një rezolutë që i kaloi KQZ-së me 100 vota pro të deputetëve, e shpalli inekzisten dekretin e dytë të Metës, një dekret që ka sjellë një përplasje institucionale.