Gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri është shtyrë për shkak se nuk ishin të pranishëm të akuzuarit e tjerë, tre ish zyrtarët e policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode.
Vetë Tahiri u paraqit në gjyq, ndërsa akuzohet ?korrupsion të zyrtarëve të lartë?, ?trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim? dhe ?grup i strukturuar kriminal?. Ai deklaroi se është i lodhur nga zvarritja e këtij procesi gjyqësor dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Sipas tij, ky proces po zvarritet më kot dhe ka dyshime se pas fshihet politika.
"Kërkova gjykim të shkurtuar se e mendova se nuk ka nevojë të zgjatet asnjë seance më shumë. Kam arsye dhe jam shumë dhe ka shumë...që kjo situatë të zvarritet dhe nuk janë të interesuar për drejtësi. Unë jam i vetmi që interesohet dhe do vazhdoj. Kërkoj vetëm drejtësi. Mundësisht ti bëjë seancat ditë për ditë. Se nuk ka kohë për të humbur. U bë dy vjet që zvarritet nuk e kuptoj pse. Edhe pse kam dyshimet e mia që ky proces të zvarritet politikisht. Di një gjë që ky proces nisi në Itali dhe përgjimet e Italisë, dhe jam hetuar ne Itali dhe gjykata ne Itali e dhanë verdiktin e tyre. Per ça arsye me letrat e ardhura nga atje gjykata italiane, Gjykata këtu shtynë procesin..." ka deklaruar Tahiri.
Kujtojmë se ish zyrtarët e policisë së Vlorës që gjykohen së bashku me Tahirin, Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode të cilët janë në arrati pas shpalljes në kërkim që i bëri Prokuroria e Krimeve të Rënda, po hetohen nën masën e sigurisë 'arrest me burg në mungesë'. Dosja shqyrtohet nga gjyqtarët Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka. Ish Ministri i Brendshëm akuzohet se është i përfshirë në favorizimin e grupit kriminal të Habilajve. Ndërsa nga ana e tij Tahiri i ka mohuar akuzat e Prokurorisë duke thënë se nuk kanë asnjë provë kundër tij. Për Tahirin hetoi edhe Prokuroria e Katanias por hetimi u mbyll pasi ndaj tij nuk u gjetën prova që e implikonin në trafikun e drogës.
Seanca e radhës ndaj ish-ministrit Tahiri dhe efektivëve të policisë dikur vartës të tij u la më 3 korrik 2019.