Militanët e PD dhe LSI tentojnë të bllokojnë takimet elektorale të Ramës në Korçë

Report TV 2019-06-15

Views 1

Takimet elektorale të kryeministrit Edi Rama në qarkun e Korçës u shoqëruan me tentativa të Parisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, që duke organizuar militantët, donin të bllokonin rrugën teksa eskorta e kreut të qeverisë kalonte për në Kolonjë, Devoll dhe së fundi në qytetin e Korçës, ku prezantoi kandidatët për kryetar Bashkie, Erion Isai, Eduard Duro dhe Sotiraq Filo.

Forcat e policisë, ato rrugore, të Rendit, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë garantuan kalimin e eskortës në akset rrugore ku kaloi kryeministri, por megjithatë nuk munguan incidentet ku militantët e opozitës joparlamentare hodhën shishe ndaj makinave. Pati incidente dhe konfrontime mes policisë dhe ish-deputetëve që ndodheshin në mesin e turmës, Ervin Salianji dhe Klevis Balliu nga PD, dhe Endrit Braimllari nga LSI. Përplasje verbale pati mes Salianjit dhe zv.drejtorit policisë së Shtetit Gjovalin Loka që ishte vetë në këto tubime për garantimin e sigurisë. Kryeministri Edi Rama nga takimet që pati me banorë tha se të gjithë do të mbajnë përgjegjësi ligjore për bllokimin e fushatës, ndërsa theksoi edhe një herë se kush tenton të pengojë procesin zgjedhor do të përfundojë në burg dhe jo vetëm kaq, do t'i ndalohet edhe hyrja në SHBA dhe vendet e BE-së.

E njëjta panorama ishte edhe në qarkun e Elbasanit, kur militantët e opozitës bllokuan rrugët do kalonte eskorta e kryeministrit që ka si destinacionet tubimet elektorale.

Nga Korça kryeministri i vendit Edi Rama, duke u ndalur tek 30 qershori, u shpreh se do ishte më komode për të dhe qeverinë t?i shtynin zgjedhjet por ai theksoi se precedenti që do krijonin do ishte i rrezikshëm. Rama evidentoi se ka ikur koha kur pushteti merrej për të shkelur shtetin.

Ndonëse presidenti Ilir Meta ka shtyrë datën e zgjedhjeve për një kohë të pacaktuar, kryeministri Edi Rama vijon takimet elektorale i bindur që zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor.

Share This Video


Download

  
Report form