Mazhoranca kalon testin politik. 94 votat që nevojiten për të shkarkuar presidentin Ilir Meta janë të sigurta. Këtë të enjte, pas 5 orëve mocion debati në Kuvendin e Shqipërisë, 100 deputetë votuan pro rezolutës së Partisë Socialiste ku radhiteshin argumentet pse dekreti i kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte antikushtetues, dhe ku shprehej bindja se zgjedhjet do të mbahen në këtë datë. Në përfundim të votimit, 100 vota ishin pro rezolutës, 7 kundër, 2 abstenim, ndërsa një deputet nuk mori pjesë në votim.
Për 5 orë kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një mocion debati mbi një rezolutë të Partisë Socialiste pas dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve.
Mazhoranca pati në dispozicion 170 minuta ndërsa opozita bashkë me deputetët e pavarur, 130 minuta. Të gjithë një zëri e vlerësuan antikushtetues dekretin e Presidentit, por u ndanë tek institucioni që duhet ta 'gjykojë' atë. Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari tha se i takon Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë zhdekretimin e zgjedhjeve, ndërsa vendimin e Metës e sheh të lidhur me bashkëshorten e tij, kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi.
Për 40 minuta, kryeministri Rama argumentoi nga foltorja e parlamentit se pse Ilir Meta kishte shkelur kushtetutën, duke u përdorur politikisht, kur anuloi dekretin e zgjedhjeve në 30 qershor. Rama akuzoi nga Metën se zgjedhjet i anuloi për llogari të opozitës dhe foli për një plan politik të orkestruar mes Metës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për të bllokuar rrugën integruese në BE, dhe për t'iu shmangur drejtësisë. Instrumente të këtij plani ata kanë zgjedhur Monika Kryemadhin dhe Lulzim Bashën me protestat me molotov, siç u shpreh shefi i mazhorancës. Rama tha se edhe publikimi i përgjimeve të Bild në një moment kyç të vendit i cili ndodhet para zhvillimit të zgjedhjeve lokale dhe pritjes së përgjigjes nga BE për hapjen e negociatave, është pjesë e këtij skenari.Edhe pse shkarkimin nuk ja përmendi në asnjë rast, kryeministri tha se Ilir Meta nuk mjaftohet me atë pushtet që institucionet që drejton mbartin. Kreu i qeverisë Metës Shqipëria i ka falur shumë skandale - theksoi kryeministri, duke thënë se 'edhe mbret po ta bëjmë, Ilir Meta është i pangopur'. Rama tha se '97-të të dytë nuk ka asnjë arsye të ketë dhe me argumentin se për zhvillimin e zgjedhjeve nuk vendosin partitë, por Kushtetuta, Edi Rama këmbënguli se nuk ka asnjë tërheqje nga 30 qershori.