Shumica e ka zyrtarizuar nismën e saj për shkarkimin e kreut te shtetit. Kreu i grupit parlamentar ka depozituar 55 firmat e deputeteve që kanë përkrahur këtë iniciative dhe ka dalë në një konferencë për shtyp ku argumenton perse sipas socialisteve, Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën.
?Presidenti me dekretin 11199 të vitit 2019 që praktikisht anulon mbajtjen e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore cenon parimin e periodicitetit të zgjedhjeve dhe ushtrimin e të drejtës sovrane të popullit për të zgjedhur. Në këto kushte, ai ka cenuar rëndë Kushtetutën si akti më i lartë në vend. Këto janë detyrime kushtetuese që nuk mund të kalohen as me ligj, aq më tepër me një dekret presidencial?, tha Balla.
E para, sipas tyre kreu i shtetit ka detyrim vetëm të caktoj datën e zgjedhjeve dhe pas kësaj çdo detyrim tjetër në raport me Kushtetutën sa i takon zgjedhjeve.
Precedentët e paraardhëseve që Meta iu referua kur argumentoi vendimin për datën e zgjedhjeve, e sidomos ai i 2007 sipas socialisteve nuk ka asnjë ngjashmëri.
Zgjatja e mandatit të të zgjedhurve për ta është një tjetër shkelje që ka bërë Meta me dekretin e shfuqizimit të datës së zgjedhjeve.
Kreu i shtetit thonë socialistet po del mbi pushtetin e sovranit, i cili sipas tyre flet përmes legjislativit që ka të zgjedhurit e tij në parlament.
?Zoti Ilir Meta ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë, në pëlqimin tonë. Natyrisht që ne socialistët nuk i përkasim kurrsesi kulturës politike të arbitraritetit dhe dhunimit të ligjit dhe dua garantoj sot se ne do të ndjekim në mënyrë shumë rigoroze procedurën e parashikuar për shkarkimin e Presidentit. Përpara se t?i shkojë për votim Kuvendit, shkarkimi i Zotit Ilir Meta nga detyra, siç parashikon procedura do të vlerësohet nga një komision i posaçëm hetimor. Është e qartë që votimi i Kuvendit në rast se propozimi për shkarkimin do të marrë më shumë se 2/3 e votave të deputetëve, pra 94 e më lart, do t?i shkojë për vlerësim Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përgjegjësinë të thotë fjalën e fundit për shkarkimin e kreut të shtetit.?
Lista e 55 firmëtarëve të gjithë nga radhët e PS kryesohet nga Taulant Balla. Televizioni Klan mësoi se ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ministri aktual i Diasporës Pandeli Majko nuk kanë firmosur. Komisioni i ligjeve do të shikoje vlefshmërinë e firmave dhe është ai që drejton procedurat që parashikon shkarkimi i kreut të shtetit që kalojnë përmes ngritjes së një komisioni hetimor. Votat e nevojshme për të marrë pëlqimin e parlamentit për raportin final nëse provohen akuzat për shkeljen e Kushtetutës janë 94. Më pas është Gjykata Kushtetuese që ka fjalën e fundit për të vendosur pro apo kundër shkarkimit, gjykatë e cila aktualisht është jashtë funksionit.
Tv Klan