Bazilika e Gjuricës e cila ndodhet në afërsi të njësisë administrative të Ishmit ndodhet në mëshirë të fatit. I vetmi person që kujdeset sado pak për të është, Klajdi Kulla një djalosh i zonës që banon afër bazilikës. Ai pastron ferrat e barishtet që mos të mbulojnë edhe ato pak pjesë të dukshme të monumentit.
Klajdi shprehet se ka patur mjaft vizitorë që kanë treguar interes për këtë monument, por sapo kanë parë gjendjen në të cilën ajo ndodhet janë larguar të zhgënjyer. Gjithashtu ai shprehet se politikanët edhe pse vijnë fare afër bazilikës për fushata elektorale, asnjë prej tyre nuk tregon qoftë edhe interesin më të vogël.
Ministria e Kulturës dhe Instituti i Arkeologjise janë mjaftuar me një rrethim me kangjella të lidhur me litarë dhe një tabelë të ndryshkur e cila tregon se Bazilika është monument kulture dhe mbrohet nga shteti, por e gjithë mbrojtja nga ministria është vetëm me fjalë e përkujdesja për bazilikën është si ajo e shumë të tjerave që Ministria e Kulturës ka bërë ndër vite.